Poshtërimi i pensionistëve
Sot, 09.10.2023, (ora 10.30) shkova në sportelin e degës rajonale për pensionistët e kategorive të ndryshme për të dëshmuar se jam gjallë që të mund ta realizojë “pensionin” prej 100 eurosh, me 42 vjet stazh.
Në sallën ku janë sportelet grumbull i madh njerëzish kryesisht të moshuar por edhe me përcjellje të ndonjë familjari.
Kishte edhe invalid në karroca. Punonte vetëm një sportel dhe ishte rend i madh që rritej vazhdimisht.
Në sportel arrita pas 30 min dhe zyrtarja në kartonin përkatës ma vazhdoi jetën edhe për 6 muaj.
Duke pritur në rend nuk mund të mos e shtroja pyetjen: pse u bëhet ky poshtërim kësaj kategorie të njerëzve në kohën kur gjithçka është e digjitalizuar. Pra edhe lindja edhe vdekja. Pse duhet dikush të dëshmojë se është gjallë.
A ka pushteti, ministria përkatëse ndërgjegje dhe a është e vetëdijshme për keqtrajtimin, poshtërimin dhe cenimin e dinjitetit të këtyre njerëzve.
Kështu nuk ndodh askund në botë, pos në ndonjë shtet të Afrikës apo tek talibanët që nuk e respsktojnë njeriun dhe dinjitetin e tij. /Fahri Musliu/

