Pozharani kujtoi sot martirët e vitit 1945

Në Pozharan të Vitisë, në 77-vjetorin e vrasjes u përkujtuan martirët e masakrës serbe në xhami si dhe ata që u mbytën në burgun famëkeq të Gjilanit, shkruan pozharani.press.

Fillimisht u bënë homazhe te varri i njërit nga martirët e parë, Shaban Haliti-Pozharani, cili në atë kohë ishte edhe kryetar i komunës së Pozharanit, i cili së bashku me Ajet Terziun, Ahmet /Mustafë/ Zukën dhe nipin Misin Xheladinin u mbytën me dru dhe mjete të topitura nga forcat partizane-çetnike, në xhaminë e këtij fshati.

Më pastaj, pjesëmarrësit vizituan dhe vendosën lule të freskëta edhe te Pllaka përkujtimore e martirit Shaban Haliti si dhe të 10 martirëve të tjerë të familjes Alidemaj.

Avdyl Bajrami, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës në  Viti dhe Zeqir Ramiqi, njëri nga anëtarët e familjes të cilit i është vrarë në Burgun e Gjilanit e të cilit nuk i dihet as varri, sikurse as shumë të tjerëve, thanë se brezat e tashëm dhe të ardhshëm nuk duhet harruar emrat e këtyre martirëve, sepse ata u flijuan për kauzën kombëtare.

Në ditën kritike, forcat serbo–çetnike, të ndihmuara edhe nga serbët vendas të Pozharanit, në vend se të festonin Bozhiqin, ata kryen masakra ndaj shqiptarëve.

Në Pozharan të Vitisë, në xhami të fshatit ndodhi masakra më e tmerrshme në Kosovën e atyre viteve, ndaj shqiptarëve nga fqinjtë e tyre serbë.

Kjo plojë kishte nisur me 27 dhjetor 1944 dhe zgjati deri më 7 janar 1945, për të arritur kulmin pikërisht në ditën e Kërshëndellave ortodokse në xhaminë e fshatit Pozharan.

Rreth 200 shqiptarë të moshave të ndryshme, u dërmuan me dajak dhe mjete tjera të torturës, disa u mbytën aty për aty, kurse disa të tjerë të cilët mbetën gjallë u dërguan në burgun famëkeq të Gjilanit. 17 prej nuk u kthyen kurrë më dhe nuk u dihen as varret.

Me torturë janë mbytur: Shaban Haliti – Alidema, ish kryetar i komunës së Pozharanit dhe bashkëpunëtor i afërt i Hysen Tërpezës, Misin Xheladin Alidema, Ajet Fejzë Tërzqi dhe Ahmet /Mustafë/ Zuka, që varret i kanë në oborrin e xhamisë në Pozharan.

Ndërkaq në Burgun e Gjilanit u mbytën dhe sipas disa informative u dogjën në furra të gjithë bashkëpunëtorët e Shaban Halitit.

Fat të njëjtë patën edhe 24 pozharanas të tjerë nga grupi që ishte dërguar në Burgun e Gjilanit.

Pjesëmarrësit kërkuan që në sheshin e fshatit të ngihet një mural, ku do të skalitën emrat e këtyre martirëve dhe dëshmorëve të Pozharanit.