Pranverat nuk ishin më kurrë njësoj prej se ti ike nga kjo botë – dedikim i të birit për gazetarin Ukshin Zajmi
Gazetari kosovar, Ukshin Zajmi, iku nga kjo jetë para gjashtë vitesh. Djali i tij, Mentori ka bërë një dedikim në këtë përvjetor.
Sot bëhen 6 vite pa ty, babi…6 vite me mall, me kujtime dhe me një boshllëk që askush nuk mund ta mbushë.
Koha kalon, por dhimbja për mungesën tënde mbetet po aq e fortë sa ditën që u ndave nga ne.
Pranverat nuk ishin më kurrë njësoj prej se ti ike nga kjo botë.
Na mungon zëri yt, këshillat e tua, forca dhe dashuria që na fale çdo ditë.
Na mësove si të jemi të fortë, si të punojmë me ndershmëri dhe si të duam familjen mbi gjithçka.
Për këtë do të jemi gjithmonë mirënjohës.
Edhe pse nuk je fizikisht pranë nesh, je në çdo hap që hedhim, në çdo vendim që marrim dhe në çdo arritje që kemi. Kujtimi yt jeton në zemrat tona dhe do të jetojë përjetë.
U prehsh në paqe, babi. Do të duam dhe do të kujtojmë gjithmonë.
Ukshin Zajmi ndërroi jetë në Gjilan, në moshën 70-vjeçare.
Zajmi ka punuar për disa vite gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP), derisa pushteti i dhunshëm serb i dëboi shqiptarët nga mediumi publik.
Duke qenë i dashuruar në profesionin e gazetarisë, pas largimit nga RTP, Ukshini ka punuar e bashkëpunuar me gazeta, revista e mediume të ndryshme, përfshirë edhe televizionin lokal TV MEN.
Për shkak të angazhimeve të tij në strukturat e mbrojtjes civile, në vitin 1994 ishte arrestuar dhe dënuar me katër (4) vite burgim nga pushteti serb. /Mediafokus.info

