Premtimet e pa mbajtura – autostrada Prishtinë-Gjilan, një premtim që nuk përmbushet kurrë
Në këtë foto gjendem pranë asaj që për vite të tëra ka qenë vetëm një iluzion për rajonin tonë – autostrada Prishtinë-Gjilan. Një projekt që nisi shumë vonë dhe që për ironi të fatit ende nuk ka përfunduar, pavarësisht se ka vite që është premtuar si prioritet për qytetarët tanë.
Punimet për këtë autostradë filluan, por vazhdimisht janë ndërprerë, me justifikime të ndryshme që më shumë duken si arsye për të zvarritur procesin sesa për të zgjidhur problemin.
Sipas kryetarit aktual, Alban Hyseni, të cilin e takova në vitin 2022, punimet do të duhej të përfundonin brenda gjashtë muajve. Por, ja ku jemi sot, dy vite më vonë, pa asnjë progres të dukshëm.
Pyes veten: ku janë deputetët tanë nga rajoni i Gjilanit? Ku janë zërat e tyre për të mbrojtur interesat e qytetarëve të kësaj zone? Përse lejojnë që një projekt kaq i rëndësishëm të mbetet peng i neglizhencës dhe premtimeve të pa mbajtura?
Zëri i tyre ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe dhe kjo heshtje është një tradhti ndaj votuesve që i besuan.
Këto zgjedhje parlamentare janë një mundësi për qytetarët e Gjilanit që të kërkojnë llogari. Nuk është më koha për fjalë të bukura dhe premtime boshe. Është koha që të kërkojmë veprime konkrete dhe të mos pranojmë më justifikime.
Gjilani meriton më shumë – meriton vëmendjen dhe investimin që i takon me të drejtë.
Unë si politikane e ndjej për obligim që të jem zëri i atyre qytetarëve që janë lodhur nga këto mashtrime. Do të vazhdoj të analizoj dhe të mbaj përgjegjës çdo politikan që harron detyrën ndaj qytetarëve.
Gjilani nuk është një rajon i dorës së dytë dhe nuk do të duhej të trajtohej si i tillë.
Autostrada Prishtinë-Gjilan nuk është thjesht një projekt infrastrukture – është një simbol i zhvillimit, i mundësive dhe i dinjitetit për qytetarët tanë.
Ne nuk do të lejojmë që ky simbol të shndërrohet në një tjetër premtim të braktisur. /Majlinda Sylejmani

