Presheva bëhet me një shkencëtare, ajo është Dr. Valdrina Ajeti

Lugina e Preshevës përkundër problemeve dhe halleve te shumta, ka të rinj që megjithatë nuk dorëzohen.

Nga këto vise shqiptare sot janë mbi njëmijë studentë të cilët studiojnë në qendrat e ndryshme universitare si në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Zagreb, Stamboll, Sarajevë, Beograd, Nish…

Madje një numër i konsiderueshëm studiojnë dhe diplomojnë edhe në universitetet botërore si në ato të Gjenevës, Berlinit, Londrës, Parisit, Vjenës, shkruan gazeta zvicerane Le Canton27.ch

Njëra nga to është edhe Valdrina Ajeti nga Presheva e cila pasi ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë (dega Farmaci) në Universitetin ‘Hasan Prishtina’, në vitin 2017, ka filluar studimet e doktoratës në Universitetin ‘Kiril dhe Metodij’, në Shkup, të cilat i ka përfunduar në mars të vitit 2022, duke fituar titullin ‘Doktor i shkencave natyrore’, drejtimi Biokimi dhe fiziologji.

Njëkohësisht ajo ka ndjekur paralelisht edhe studimet e doktoratës në fakultetin e Mjekësisë në Shkup, të cilat i përfundoi në dhjetor 2024, duke fituar titullin ‘Doktor i shkencave mjekësore’, drejtimi Mjekësi bazike, me lende te ngushte te hulumtimit ne biokimi mjekësore dhe eksperimentale!

Po ashtu këtë vit Valdrina ka filluar edhe specializimin ne Qendrën klinike universitare te Kosovës, drejtimi Farmaci klinike!

Do theksuar se Prof.Ass.Dr. Valdrina Ajeti është autore e parë, korrespondente dhe ko-autore e disa punimeve shkencore, disa prej tyre të indeksuara në platformat Scopus dhe Web of Science.

Valdrina njihet edhe si poliglot meqë, pos gjuhëve te Ballkanit, ajo zotëron edhe gjuhët angleze, spanjolle, gjermane etj.

Qe nga marsi i vitit 2022 punon si profesoreshë në kolegjin e shkencave mjekësore ‘Alma Mater Europaea Campus College Rezonanca’, në Prishtinë, si ligjëruese në lëndët Biokimi dhe Farmakologji, në drejtime të ndryshme të mjekësisë!

Ajo falënderon familjarët për përkrahjen e vazhdueshme gjatë këtij rrugëtimi, njëkohësisht edhe mentorët e saj për bashkëpunimin!