Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli – Osmani dërgon në Kuvend amendamentet kushtetuese
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Përmes një njoftimi publik, ajo ka bërë të ditur se amendamentet janë hartuar më herët nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës dhe tashmë janë dërguar për procedim në Kuvendin e Kosovës.
Postimi i plotë:
ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT!
Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese.
Tash e tutje, le të flasë populli!

