Presidentit Biden i hiqet një shenjë kancerogjene nga lëkura
Presidentit amerikan, Joe Biden, i është hequr një shenjë kancerogjene në lëkurë muajin e kaluar gjatë një kontrolli të rregullt shëndetësor, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
I tërë indi kancerogjen i është hequr dhe nuk kërkohet trajtim i mëtejmë, ka thënë mjeku i presidentit, duke shtuar se Bideni do të vazhdojë që të jetë nën vëzhgim dermatologjik si pjesë e kujdesit të rregullt shëndetësor.
Presidenti 80-vjeçar iu nënshtrua një kontrolli mjekësor në shkurt. Shtëpia e Bardhë tha se, me këtë rast, ai doli të jetë i shëndoshë dhe i aftë për detyrë, raporton televizioni BBC.
Mjeku i presidentit, Kevin O’Connor, tha se shenja kancerogjene është larguar nga gjoksi i presidentit më 16 shkurt në Qendrën Mjekësore Kombëtare Ushtarake, “Walter Reed”, afër Uashingtonit.

