Presidentja: Nëse s’ka Qeveri të dielën, do t’i ftoj partitë për të parë nëse ndonjëra i ka numrat
Të dielën, me fillim nga ora 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për seancën rreth formimit të qeverisë së re.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse do të ketë marrëveshje apo jo.
Presidentja Vjosa Osmani ka folur për këtë çështje në një intervistë për Deutsche Welle, duke theksuar se nëse nuk arrihet marrëveshja për qeveri të re, ajo do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime për të parë nëse ndonjëra mund të krijojë shumicën.
“Nëse ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. E nëse s’ka marrëveshje, si presidente, do t’i ftoj të gjitha partitë politike nëse ka mundësi që dikush të krijojë shumicën. Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por është alternativë nëse nuk krijohet shumica”, u shpreh Osmani.

