Prindërimi – çdo shoqëri ndërtohet nga shtëpia
Nga familja fillon gjithçka. Dhe sot, familja po përballet me një krizë të heshtur, por të thellë.
Prindërimi nuk është më si dikur. Kemi kaluar nga rregullat e forta te liria pa kufij, nga fjala e prindit te heshtja, nga edukimi në shtëpi te rritja nga ekranet.
Rezultati po shihet çdo ditë: fëmijë me shumë informacion, por pak orientim; adoleshentë me zë të fortë, por pa drejtim; të rinj të papërgatitur për jetën reale.
Kulmi i problemit është se shumë prindër sot nuk dinë më çfarë roli të kenë. Të jenë shokë apo edukatorë? Të vendosin kufij apo t’i shmangin konfliktet? Të dëgjojnë apo të heqin dorë?
Si nënë e dy fëmijëve dhe sot edhe gjyshe, e ndiej këtë shqetësim çdo ditë. Kam rritur fëmijë në emigracion, mes sakrificës dhe lodhjes, dhe sot shoh nipërit në një realitet krejt tjetër.
Kjo më bën të pyes veten sa të përgatitur janë brezat që po rriten dhe sa pranë jemi realisht me ta.
Fëmijët kanë nevojë për prani reale. Për kufij të qartë. Për shembull personal. Për fjalë të fortë kur duhet dhe përqafim kur është e nevojshme.
Prindërimi nuk është as diktaturë, as indiferencë, është përgjegjësi.
Sot, shumë fëmijë rriten nga rrjetet sociale, jo nga prindërit. Nga rruga, jo nga shtëpia. Dhe kjo është alarmante.
Sot kemi nevojë urgjente për shkollë prindërimi. Askush nuk na mëson si të jemi prindër, ndërsa përgjegjësia është më e madhja në jetë.
Fëmijët nuk vijnë me manual përdorimi. Prandaj, prindërit kanë nevojë për orientim, këshillim dhe mbështetje profesionale.
Një shkollë prindërimi do të ndihmonte familjet të kuptojnë fazat e zhvillimit të fëmijës, të mësojnë komunikimin e shëndetshëm dhe vendosjen e kufijve.
Nuk mund të kërkojmë respekt në shkollë, në shoqëri apo në institucione, nëse ai nuk mësohet në familje.
Nuk mund të presim qytetarë të përgjegjshëm, nëse rrisim fëmijë pa kufij.
Nuk mund të fajësojmë vetëm sistemin, kur vetë kemi dobësuar rolin tonë si prindër.
Po, shteti ka përgjegjësi. Po, shkolla ka rol.
Por themeli është familja.
Nëse sot nuk investojmë seriozisht në prindërim, nesër do të paguajmë çmimin me breza të humbur. Dhe atëherë do të jetë vonë për reflektim.
Fëmijët nuk kanë nevojë për prindër perfektë.
Kanë nevojë për prindër të vetëdijshëm.
Sepse çdo shoqëri ndërtohet nga shtëpia. /Lindita Kulla

