Prishtina i bën gati bunkerët, shumë pak strehimore në kryeqytet

Prishtina numëron pesë bunkerë të cilët janë ndërtuar në vitet ‘80-ta e që janë të destinuar për strehimin e qytetarëve në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo të ndonjë rreziku tjetër.

Aktualisht, dy prej tyre janë jashtë funksionit, ndërsa tre të tjerë konsiderohen të shfrytëzueshëm.

Një bunker gjendet në lagjen “Bregu i Diellit”. Kjo strehimore e cila është aktualisht në rinovim ka një hapësirë mbi 300 metra katrorë.

Bunkerë ka edhe në lagjen “Ulpiana”.

Strehimoret kanë kapacitete prej 179 metra katrorë, 254 metra katrorë, 385, 332 si dhe 220 metra katrorë.

Me Prishtinën që llogaritet se numëron rreth gjysmë milioni banorë, hapësirat nuk i plotësojnë kërkesat.

Aktualisht, prej tri strehimoreve që konsiderohen funksionale, dy i janë dhënë organizatave joqeveritare. Ndërsa një tjetër shfrytëzohet nga ndërmarrja publike e Prishtinës që kujdeset për hapësirat në “Ulpianë”.

Bunkerët që i janë nënshtruar rikonstruksionit megjithatë ende nuk konsiderohen të kompletuara.

Prishtina ka planin B sipas saj në rast të ndonjë fatkeqësie ku i duhet të strehojë qytetarët, e që janë hapësirat e sallave të sporteve në shkolla.

Megjithatë, si strehimore mund të shfrytëzohet edhe hapësira e një parkingu nëntokësor pranë Katedrales ndërsa këtë vit planifikohet të fillojë edhe ndërtimi i katër parkingjeve të tjerë nëntokësorë që do të shfrytëzohen edhe si strehimore në rast nevoje.