Priten edhe arrestime të tjera në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike

Inspektorati Policor i Kosovës sapo ka kryer dy arrestime në qendër të Prishtinës. Është mësuar se në pranga ka përfunduar Lavdim Osmani, udhëheqës i Krimeve Ekonomike në Prishtinë dhe një qytetar.

Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar edhe Arbër Beka, zëdhënës për media i Inspektoratit.

“Arrestimi zyrtarisht është realizuar në orët e mbrëmjes në Prishtinë. Është arrestuar një zyrtar policor dhe një qytetar”.

“Polici dyshohet për veprën penale marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Gazeta merr vesh se priten edhe arrestime të shumta në krimet ekonomike.

Mësohet se drejtuesi i Krimeve Ekonomike ka qenë udhëheqës i një grupi policësh të cilët dyshohet se u kanë vënë haraç bizneseve.

Osmani dyshohet se ka hetuar shumë kompani, për t’ua mbyllur më pas rastet vetëm në këmbim të parave.

Ndërkohë edhe Inspektorati i ka thënë Insajderit se operacioni i sotëm nuk ka përfunduar dhe se është në vazhdim e sipër.