Profesoresha nga Gjilani i shkruan Albin Kurtit: Jemi detyruar ta lëshojmë Kosovën për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale për djalin tonë autik
Gjilani do të mbetet së shpejti pa dy profesorë të dalluar, shkaku i mungesës së sigurimit shëndetësor.
Profesoresha Lindita Hyseni i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit Albin Kurti, ku e njofton për vendimin e rëndë që i duhet ta marrë pikërisht për këtë arsye, sepse ka një fëmijë me autizëm.
Letra e plotë:
Si shtetase e Kosovës dhe me përvojë jete në Kosovë deri në vitin 2025, ndjej obligim qytetar të theksoj se një nga prioritetet më të rëndësishme në sistemin shëndetësor dhe social duhet të jetë sigurimi shëndetësor për të gjithë qytetarët, si dhe krijimi i një sistemi të mirëfilltë shtetëror për personat me aftësi të kufizuara/veçanta.
Përvoja jonë personale është një shembull i dhimbshëm i mungesës së këtij sistemi. Unë dhe bashkëshorti im, dy profesionistë me përvojë të gjatë në fushen e Shkencave Kompjuterike dhe Edukimit Fizik dhe Sportit, jemi detyruar ta lëshojmë Kosovën për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale për djalin tonë autik kur të jetë në moshë madhore (tani është 11 vjeç).
Këta fëmijë autik nuk kanë nevojë vetëm për mbështetje në moshë të hershme. Përkundrazi, sfidat shpesh bëhen edhe më të mëdha kur ata rriten. Me kalimin e viteve rriten nevojat për terapi, edukim të specializuar, integrim social dhe përkrahje afatgjatë për jetesë të pavarur dhe dinjitoze. Pa një sistem të qëndrueshëm shtetëror, familjet mbeten të vetme përballë këtyre vështirësive.
Pikërisht për këtë arsye, shumë familje dhe profesionistë të kualifikuar detyrohen të largohen nga vendi në kërkim të një sistemi që u ofron fëmijëve të tyre mbështetjen që meritojnë. Kjo nuk është vetëm një humbje për familjet, por edhe një humbje për Kosovën (hera parë që nuk do të jem modeste).
Besoj fuqishëm se ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë për sigurim shëndetësor dhe mbështetje për personat me aftësi të kufizuara/veçanta do të ndikonte drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, në dinjitetin e familjeve dhe në ndalimin e largimit të profesionistëve nga vendi.
Me respekt, Prof.Dr. Lindita Nebiu Hyseni
ish-Profesoreshë/Dekane në UKZ-Gjilan

