Profesori nga Gjilani i bashkohet shoqatës ‘VATRA’ në Amerikë

Profesori i muzikës dhe patrioti nga Gjilani Izet Kallaba, i është bashkuar sot Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra.

Profesor Kallaba u prit nga Editori i Diellit, Sokol Paja i cili i shpjegoi me detaje rrugëtimin historik të Federatës Vatra dhe të gazetës Dielli, si organ zyrtar i saj.

Kallaba ka botuar librin “Tingujt e Artë” dhe ka në proces një botim për poezinë e diasporës. Profesori i muzikës Izet Kallaba është ofruar në Vatra që të zhvillojë kurse muzike dhe aktivitete kulturore për të gjithë fëmijët e vatranëve dhe patriotëve shqiptarë që jetojnë në New York dhe më gjërë.

Ai u shpreh shumë i lumtur që iu bashkua Vatrës dhe se e ka dashur dhe vlerësuar që dekada më parë veprimtarinë e kësaj Federate në dobi të çështjes shqiptare, shkruan gazeta Dielli.

Profesor Kallaba mbeti shumë i impresionuar nga burrat e shtetit dhe kontributi që shqiptarët e Amerikës kanë dhënë për shtetin dhe kombin shqiptar.

Ai gjithashtu e vlerësoi Vatrën si një atdhe i dytë për shqiptarët e mërgatës së Amerikës.

‘Kur viziton Vatrën të mbushet shpirti plot e zemra krenohet nga historia, lavdia dhe vlerat e kombit tonë që Vatra ka trashëguar dhe rrezatuar gjithmonë’ përfundoi fjalën e tij në ditën e anëtarësimit në Vatra, profesor Izet Kallaba./Mediafokus.info