Prokurori Ali Shukria kishte kërkuar dënime të ashpra për patriotët shqiptarë
Përfundimi i Luftës Nacionalçlirimtare, për shqiptarët nuk solli lirinë e propaganduar, andaj shumë atdhetarë u desh të organizohen, angazhohen e sakrifikohen për barazi me popujt tjerë.
Njëri prej tyre ishte Arif Salihu (1911), i cili nuk jeton prej tridhjetë e sa vitesh, shkruan portali Mediafokus.info.
Arif Salihun e mundonte shumë fakti që shqiptarët nuk kishin status të barabartë me popujt tjerë në ish-Jugosllavi, andaj së bashku me bashkëmendimtarët e tij u organizuan dhe kaluan në ilegalitet, ku formuan organizata politike e patriotike, të cilat angazhoheshin për bashkimin e trojeve shqiptare.
Në pranverë të vitit 1946, në Gjilan u formua Komiteti i Rrethit i ONDSH-së, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ishte i lidhur me Komitetin Qendror të ONDSH-së në Shkup.
Në këtë komitet ishte përfshirë një numër i madh i intelektualëve të asaj ane, një pjesë e madhe e tregtarëve dhe një numër i konsideruar i nëpunësve.
Anëtarë të Komitetit Qarkor të Gjilanit ishin: Myderriz Haki Taib Efendiu, Hamdi Berisha, Maliq Sahit Çollaku, Rexhep Shemë Dajkoci, Arif Salihu – Rogaçica, Mumin Jakupi, Ramadan Agushi, Jakup Malisheva, Mulla Riza Osmani dhe Destan S. Budrika. Pas shumë aktiviteteve ilegale, ky grup i atdhetarëve u zbulua dhe u arrestua.
Filluan proceset e gjata gjyqësore, ku shqiptoheshin dënime të rënda, me vdekje ose e pakta 20 vjet heqje lirie.
Sipas aktgjykimit të Gjyqit të Qarkut në Gjilan, P. Nr. 18/47, gjykimin e ka udhëhequr një këshill i përbërë nga kryetari Zaharija Orgjinikidze (rus) si dhe gjykatësit porotë Isak Selmani dhe Hafiz Kaculi, anëtarë të këshillit. Procesmbajtës ishte Millorad Nikoliq.
Të burgosurit, shumica ishin të shkolluar, tregtarë dhe fshatarë të ngritur. Të gjithë këta patriotë ishin të akuzuar për vepër penale kundër popullit dhe kundër shtetit.
Aktakuzën e përfaqësonte prokurori publik i KAKM-së, Ali Shukriu.
Ai, me këmbëngulje kërkonte që për anëtarët e NDSH-së të shqiptohen dënimet më drakonike që ishin dhënë deri më atëherë. Ashtu edhe ndodhi.
Gjykimi nuk u mbajt në gjykatore, ku zakonisht mbaheshin gjykimet e rëndomta, por ky proces gjyqësor u mbajt në sallën e edukatës fizike të Gjilanit, që quhej Sokollana.
Para trupit gjykues dolën gjithsej 37 vetë, 32 prej tyre u dënuan, kurse 5 u liruan.
Hamdi Berisha u dënua me pushkatim, ndërsa për 31 të akuzuarit tjerë u shqiptuan gjithsej 427 vjet burg.
Mosha mesatare e të dënuarve ishte 30 vjet. Shumica prej tyre ishin intelektualë.
Arif Salihu u dënua me 11 vite burg dhe pjesën më të madhe e vuajti në Mitrovicën e Sremit.
Pas burgut, jetën e vazhdoi si i anatemuar nga sistemi komunist jugosllav, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga ideali për bashkim kombëtar. /Mediafokus/

