Prokuroria e Gjilanit e konfirmon vrasjen e katërfishtë në Pozharan të Vitisë

Vrasjen e katërfishtë brenda familjes në Pozharan të Vitisë, e cila ka ndodhur sonte, e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Gjilanit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 18:00, në fshatin Pozhoran, komuna e Vitisë, dyshohet të ketë ndodhur një vrasje e katërfishtë, motivet e së cilës për momentin ende nuk dihen.

Sipas informatave fillestare, dyshohet se personi me inicialet F.Z., me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, të ndjerën M.Z. dhe dy fëmijët e tij, të ndjerët H.Z. dhe A.Z., ndërsa në fund ka kryer vetëvrasje.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, thuhet në njoftimin e PTH të Gjilanit.