Prokuroria kërkon 18 vjet burgim për vrasësin e Shqiponja Isufit

Shqiptari 49-vjeçar nga Maqedonia, me shtetësi zvicerane, akuzohet se ka vrarë gruan e tij në shtator 2022.

Policia Kantonale e Aargaut kishte marrë një thirrje urgjente mëngjesin e 25 shtatorit 2022.

Një 49-vjeçar, shtetas zviceran, ishte në telefon dhe thoshte se gruaja e tij ishte mbyllur në banjë dhe nuk po u përgjigjej thirrjeve.

Sapo arritën në vendngjarje, ekipet e shpëtimit thyen derën pa asnjë problem, duke i rënë me shkelma. Por brenda ata gjetën gruan 41-vjeçare, tashmë të vdekur, transmeton albinfo.ch.

Nga hetimet rezultoi se viktima, Shqiponja Isufi, mësimdhënëse universitare dhe një emër shumë i njohur në komunitetin shqiptar të Zvicrës, ishte mbytur.

Pas përfundimit të hetimeve, prokuroria publike supozon se vrasjes së viktimës duhet t’i ketë paraprirë një debat mes çiftit, shkruan gazeta Luzerner Zeitung.

Bazuar në provat e disponueshme, ajo e vlerëson qasjen e të akuzuarit ndaj krimit si veçanërisht të paskrupullt, torturuese për viktimën, ndërsa prapavinë e vrasjes, të përshkuar nga egoizmi i të akuzuarit.

Si përmbledhje, personi në fjalë akuzohet për vrasje të rëndë.

Zyra e prokurorit publik të Badenit fillimisht kishte hetuar krimin, duke e përcaktuar atë si vrasje me dashje.

Sipas prokurorisë, i akuzuari duhet të dënohet me 18 vjet burgim për krimin e kryer.

Nga ana tjetër, 49-vjeçari pranon se është përgjegjës për vdekjen e gruas së tij. Kjo qe njoftuar tashmë që në qershor 2023.