Prokuroria ndalon 7 zyrtarë të Komunës së Pejës, dyshohen për keqpërdorim të pozitës

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se pas hetimeve nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ndërtimet e kundërligjshme, sot me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar shtatë persona të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” në Komunën e Pejës.

Shtatë të dyshuarit janë shoqëruar në stacionet policore përkatëse nga Prokuroria e Pejës dhe Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Zyrtarët e dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

Personat e ndaluar janë:

A.K. – drejtor i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike në Komunën e Pejës,

M.N.- drejtor i Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës, M.B. – inspektor i ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit në Komunën e Pejës,

A.LL., zyrtar ligjor në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës,

O.K. – ish-punëtor i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike (i angazhuar ende në punë) në Komunën e Pejës,

P.T. dhe P.B. – (gjeodetë të licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës).

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.