Prokuroria në Gjilan kërkon paraburgim ndaj burrit që rrahu gruan dy herë brenda ditës
Prokuroria Themelore në Gjilan, Dega në Kanenicë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit N.N., me arsyetimin se dy herë gjatë një dite ka rrahur bashkëshorten e tij, të dëmtuarën S.S. – raporton, “Betimi për Drejtësi”.
I dyshuari N.N., e ka mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se është penduar për veprimin e bërë.
“Jam pendu sa jam vet, po ja u jap fjalën dhe besën se më nuk ka me ndodhë”, deklaroi i dyshuari.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit N.N., për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”.
Në kërkesën e prokurorisë thuhet se më 14 gusht të këtij, i dyshuari ka ushtruar dhunë familjare duke e lënduar lehtë të dëmtuarën, bashkëshorten e tij, S.S.
Vepra penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 të Kodit Penal, është e dënueshme me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vite.

