Prokuroria Speciale po heton rastin e Halil Thaçit të LVV-së për shpronësimet
Prokuroria Speciale e Kosovës po zhvillon hetime pas hulumtimit të KALLXO.com që shpërfaq ndërhyrjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Halil Thaçi në procesin e shpronësimit në fshatin Shipitullë të Obiliqit. Thaçi është tanimë zyrtarisht edhe kandidat i LVV-së për Kryetar të Komunës së Obiliqit për Zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në pyetjet dërguar Prokurorisë Speciale nga KALLXO.com për rastin e deputetit Thaçi kjo Prokurori ka konfirmuar hetimet.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje.” – thuhet mes të tjerash në përgjigje.
Nga kjo Prokurori kanë deklaruar se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
“Rasti konkret është duke u trajtuar brenda afatit ligjor – sipas Kodit të Procedurës Penale. Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, por me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione.” – thuhet tutje në përgjigje.
Ky rast ishte dërguar fillimisht në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, që e ka deleguar rastin në Prokurorinë Speciale.

