Pronari i fabrikës Floil: Ka sasi të konsiderueshme të vajit në stok
Pronari i fabrikës së vajit Floil në Gjilan, Berat Mustafa ka thënë se nuk ka nevojë për shqetësim lidhur me mungesën e vajit, pasi ka sasi të konsiderueshme në stoqe.
Para gazetarëve ai deklaroi se më shumë është krijuar një panik apo një shqetësim tek qytetarët dhe janë duke blerë më tepër se duhet.
‘Nuk ka hapësirë për shqetësim. Kemi sasi të konsiderueshme edhe për këtë muaj. Pastaj edhe me ndihmën e kryeministrit dhe ministrave do të gjejmë mundësi dhe forma për vaj’, tha ai.
Mustafa u zotua se do të përdorin çdo mundësi që qytetarëve të mos u mungojë vaji në tryezë.
“Do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë që qytetarët e tanë të mos mbesin pa vaj, por edhe lusim që mos ta kenë vajin të shtrenjtë në tryezat e tyre sepse e dimë që është një produkt esencial.
Më tutje ai deklaroi se me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci kanë diskutuar për mundësinë e rritjes së rafinerisë për shtrydhjen e lulediellit.
‘Çmimi me të cilin është duke e shitur kompania Floil vajin është 1.95 cent për litër, me TVSH del 2.10. Çmimi i tregut edhe për ne si kompani është shqetësues’, tha Mustafa.

