‘Protestuesit po i djegin njerëzit të gjallë!’/ Presidenti Vuçiç akuza Perëndimit: Hodhën para të madhe për të thyer shtyllën kurrizore të Serbisë!

Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç i përshkroi trazirat, si një nga sulmet më të dhunshme ndaj policisë në vitet e fundit.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka akuzuar pjesëmarrësit në protestën e 13-14 gushtit në Novi Sad se kanë tentuar të djegin njerëz të gjallë brenda zyrës së Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, raportoi Informer TV.

“Atë natë, ata u përpoqën të digjnin njerëz të gjallë. A mund ta imagjinoni se çfarë do t’u bënin atyre që ishin brenda? Do të digjnin 300 njerëz të gjallë! Tani të gjithë e kuptojnë se me kë kemi të bëjmë dhe se ata kurrë nuk donin paqe. Gjatë gjithë kësaj kohe, bëhej fjalë vetëm për dhunë.”

Sipas Vuçiç para të mëdha janë hedhur ‘për thyerjen e shtyllës kurrizore të Serbisë’, një akuzë të cilën e bëri në rrjetet sociale. Dhunën policore ndaj protestuesve, presidenti serb e justifikoi me faktin se po luftohet një makineri e fuqishme, teksa iu referua vendeve perëndimore që sipas tij nxisin trazira në Beograd e qytetet të tjera.

‘Një sasi e madhe parash u investua në thyerjen e shtyllës kurrizore të Serbisë. Ne po luftojmë kundër makinerisë së fuqishme të vendeve të ndryshme perëndimore, të cilat po marrin pjesë në një revolucion me ngjyra dhe duan një Serbi më të dobët’.

Sipas Ministrit të Brendshëm Ivica Daçiç, 42 oficerë policie — përfshirë 26 në Beograd — u plagosën gjatë trazirave masive në tubime në të gjithë vendin, dhe 37 persona u arrestuan. Incidentet më të rënda ndodhën në Novi Sad, ku u vandalizuan ambientet e SNS-së në disa vende. Daçiç i përshkroi trazirat si një nga sulmet më të dhunshme ndaj policisë në vitet e fundit, me protestuesit që përdorën gurë, shufra metalike, shkopinj dhe fishekzjarre.

Gjatë natës së 13-14 gushtit, protestuesit sulmuan gjithashtu zyrat e partisë në pushtet SNS dhe Partisë Socialiste në disa qytete, duke plagosur 27 oficerë policie dhe më shumë se 80 civilë, kryesisht mbështetës të SNS. Ministria e Brendshme raportoi se pesë automjete qeveritare dhe 22 pajisje u dëmtuan. Rreth 100 persona sulmuan gjithashtu anëtarët e njësisë speciale Cobras në Novi Sad./SYRI.net