PSD-ja: PDK patericë e pushtetit, pushteti i ardhshëm është përsëri Albin Kurti

Azdren Shala nga PSD-ja thotë se nuk ka zgjedhje të parakohshme dhe sipas tijë opozita është dorëzuar përballë kryeministrit Kurti.

Shala në një prononcim për GazetaBlic thekson se, me veprimet e fundit u pa që opozita është e nënshtruar, veçanarisht sipas tij PDK-ja.

“Për PSD-në, po shihet qartë që nuk ka zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj se Qeveria Kurti e përfundon mandatin, çështja është se zgjedhjet e parakohshme treguan veç një element se sa e nënshtruar është opozita, sidomos PDK-ja në këtë rast. Të trija partitë opozitare kanë rënë prej testit që ia ka bërë Kurti, pra kryeministri ka dashtë t’i tregoj qytetarët që këta edhe pse kërkojnë zgjedhje, kur vjen puna për aty, këta kanë frikë”, tha Shala.

Madje, sipas Shalës, PDK-ja është patericë e kryeministrit Kurtit.

“Këtë pjesë e ka kaluar me sukses Kurti dhe ka rënë opozita parlamentare, më së shumti që ka pësuar është PDK-ja sepse la të kuptohet që në të ardhmen është patericë e Kurtit, pra patericë e pushtetit, e pushteti i ardhshëm do të jetë Albin Kurti”, tha Shala.