Pse është problematike Deklarata e “Kuvendit gjithëserb”, ku përfshihet edhe Kosova?
Një deklaratë që bëri thirrje për unitet të serbëve dhe për mbrojtje të interesave të tyre, e cila doli nga një tubim që mblodhi serbë nga i gjithë rajoni i Ballkanit në Beograd, i shqetësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa mori përkrahjen e Rusisë. Por, çfarë thuhet në dokumentin e miratuar?
Thirrje për unitet të serbëve në rajon dhe për mbrojtje të interesave serbe, nën moton “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Srpska”.
Në të ashtuquajturin “Kuvend gjithëserb” morën pjesë edhe pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe dhe të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, por edhe serbë tjerë të rajonit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shqetësoi ky organizim, i cili nga Rusia u përshëndet.
Diplomati Wolfgang Petritsch, ish-përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, tha se serbët duhet të jenë të bashkuar vetëm nën ombrellën e Bashkimit Evropian.
“Historia është shumë e rëndësishme për ne, evropianët. Kur Gjermania naziste e krijoi një parlament gjithëgjerman, një lëvizje gjithëgjermane, përfunduam me Luftë të Dytë Botërore. Nuk dua që kjo të ndodhë me serbët”, u shpreh ai.
Megjithatë, shumë serbë nuk mendojnë njëjtë.
Branko Radivojeviq, banor i Banjallukës, shkoi në Beograd, më 8 qershor, për të mbështetur idenë e unitetit. “Ata [serbët] duhet të jetojnë në një shtet”, tha ai.
Cveta Radulloviq, banore e Beogradit, iu bashkua turmës për të përjetuar sërish “energjinë kombëtare” që ajo tha se besonte që “ka humbur”.
Për të hyrë në fuqi, Deklarata e “Kuvendit gjithëserb” do të duhet të ratifikohet në Parlamentin e Serbisë dhe atë të Republikës Srpska brenda 90 ditëve.
Çfarë thuhet në Deklaratë?
Dokumenti përbëhet prej 49 pikash. Aty thuhet që populli serb përbën një entitet të vetëm dhe që ndonëse “përgjatë historisë, populli serb ka jetuar në shumë shtete me emra të ndryshëm, ai ka të drejtë të ruajë traditën e tij të pasur”.
Disa besojnë që nëse ai zbatohet në përpikëri, bashkëpunimi ndërmjet të dyja palëve do të jetë shumë më i madh, dhe se Serbia do ta rrisë ndikimin në Republikën Srpska, rrjedhimisht në Bosnje.
Deklarata e përbashkët u miratua në kohën kur presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik – i sanksionuar nga SHBA-ja – përmend mundësinë e shkëputjes prej Bosnjës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se dokumenti u përpilua në përputhje me rezolutat, me të drejtën ndërkombëtare dhe me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila u ka dhënë fund luftimeve të periudhës 1992-1995 në Bosnje e Hercegovinë, dhe ka krijuar dy entitete, Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Srpska.
Vuçiq u bëri thirrje përfaqësuesve të Republikës Srpska që të gjitha problemet të zgjidhen në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndonëse përsëriti se Serbia “nuk do t’i lërë kurrë në baltë serbët e Bosnjës”.
Disa e panë këtë qëndrim të Vuçiqit si përpjekje “për t’i qetësuar nacionalistët në Bosnje e Hercegovinë”.
Një ditë e përbashkët e shtetësisë
Në Deklaratë përmendet që, në vend të 9 janarit, Republika Srpska të shënojë ditën e shtetësisë më 15 shkurt, njëjtë sikurse Serbia.

