“Pse këta kosovarët vijnë të bëjnë sherr në televizionet tona”?
Dje në mbrëmje në “Opinion” Berat Buzhala në mes të debatit të ashpër me Albatros Rexhajn, u çua nga kolltuku dhe u duk sikur do ta godiste panelistin tjetër.
Në fakt nuk ndodhi, kryesisht sepse as vetë Berati nuk e çoi deri në fund synimin. Ndërhyrja heroike e Fevziut me pak asistencë modeste nga unë ishte pothuajse e panevojshme. Sherri u shua në çast.
Natyrisht është pamje e shëmtuar.
Por duhen thënë disa gjëra:
1. Ndryshe nga pothuajse të gjithë sherret e tjera të këtij lloji vetëm disa minuta më pas Berati kërkoi falje dhe Albatrosi i shtriu dorën.
Sherr bëjnë të gjithë se njerëz jemi, pajtimi është për burrat dhe si burra u sollën të dy pas gabimit të Beratit. (të na falin zonjat për gjuhën maskiliste).
2. Pashë në rrjet ankesa të tipit “pse këta kosovarët vijnë të bëjnë sherr në televizionet tona”.
Përgjigjia ime është e thjeshtë: sepse janë në shtëpinë e tyre, siç jemi ne “të Shqipërisë” në shtëpinë tonë në televizionet e tyre.
Unë nuk e ndaj dot një prishtinali a një tetovar nga një lab a një dibran. Të mirë a të këqinj, jemi një gjak. Shqiptarë jemi të gjithë njësoj edhe në dasëm, edhe në stadium, edhe në sherr.
3. Debati ishte i nxehtë dhe u tejkalua limiti, por ama debati u bë për ide, jo për histori Big Brotheri. Nuk e justifikoj reagimin, por shoh pikënisjen.
Dhe në fund të gjithë ishim dakord se ata që po gjykohen në Hagë janë të pafajshëm dhe po bëhen kurban politik sepse disa të tjerë duan të rishkruajnë padrejtësisht historinë e luftës së shqiptarëve për liri në Kosovë. Liria ka emër!/Ermal Hasimja

