Pse nuk pajtohem me Arianit Kocin për mbulesën e grave?

Vana Jerliu Ramadani

Reagimi i Arianit Kocit ndaj femrave të mbuluara në Kosovë, më duket një mesazh i gabuar për shoqërinë tonë.

Pasi mundohet me pak rreshta të shpjegoj të drejtat e njeriut, ai vazhdon tutje duke i quajtur ‘taleban’ kundërshtarët e debatit që hapi vetë.

Zotëri Koci shqetësohet pse shumë gra kosovare po mbajnë shamia në kokë.

Elaborimin e arsyes e ka të gabuar. Në rastin konkret, ai nuk merr parasysh aspak efektet negative që mund të shkaktojë në shoqërinë tonë deklarata e tij.

Çfarë të keqe ka po që se një grua mbanë mbulesë për arsye fetare, nëse ajo është një qytetare e mirë dhe asnjëherë nuk i ka thyer ligjet e Kosovës?

Çdo kush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të besimit.

Kjo e drejtë përfshinë shprehjen e lirë të besimit fetar, qoftë publikisht apo privatisht.

E, shprehja e lirë e besimit fetar për disa gra është mbajtja e shamisë në kokë.

Pse duhet të jemi aq kritik ndaj njëri-tjetrit për atë se si dukemi?

Në Kosovë gruaja paragjykohet shumë nga dukja e saj.

Paragjykimi ka shumë efekte negative, duke filluar nga lëndimi i vetëbesimit të femrës, deri te diskriminimi i saj për shkak të dukjes.

Vlerësimi i saj në bazë të veshjes, është i gabueshëm. Dukja nuk duhet të jetë prioritet për vlerësimin e drejtë të askujt.

Duhet të mendojmë se ku kemi gabuar si shoqëri dhe si shtet që po i shohim tani këto pasoja.

Të jemi të sinqertë, nuk kemi punuar sa duhet në edukimin e duhur të popullatës për ta respektuar tjetrin dhe për t`i vlerësuar gjërat drejt dhe mirë.

Si shoqëri çalojmë në këtë aspekt. Në vend se të diskriminojmë femrën në Kosovë, duhet të punojmë më shumë për ta ndihmuar atë në edukim dhe t`i ofrojmë mundësi për një jetë më të mirë, për aq sa është e mundur?

Për shembull, më 8 mars, në ditën ndërkombëtare të gruas, në Kosovë mbahen shumë ahengje dhe bëhen shpenzime marramendëse, por nuk kam dëgjuar se është mbajtur ndonjë trajnim për gratë, me tema të rëndësishme dhe shumë të nevojshme.

Përmes trajnimeve të tilla mund të promovohet rëndësia e gruas në shoqëri dhe vlerat e saj.

Kemi një faj të madh si shoqëri që nuk e kemi ndihmuar në mënyrë të drejtë femrën.

Nuk u kemi dhënë mundësi femrave që të jenë vetvetja. Nuk jemi treguar të sinqertë dhe të edukuar me to. Kemi pasur vëmendjen më shumë në gjëra që pak kanë rëndësi.

Në njëfarë mënyre, femra është shtyrë që më shumë t`i përshtatet normës sesa të jetë vetvetja.

Të kthehem tek fjalët e zotëri Kocit.
Duhet edhe këtu të jemi të sinqertë. Ai ka treguar haptas se po e penguakan femrat me shami.

Një qëndrim i tillë përcjell një mesazh të gabuar në publik.

Nëse nuk më pëlqen mua se si duket dikush, kjo nuk më jep të drejtë të diskriminoj atë.

Askush nuk ka të drejtë të gjykoj tjetrin se si vishet, si i mbanë flokët, se si jeton, përderisa ai person nuk i thyen ligjet.

A është aq e vështirë të respektojmë tjetrin, varësisht fesë, besimit, statusit ekonomik apo dukjes fizike të tij?

Vetëm nëse kemi konsideratë dhe respekt për tjetrin, mund të ecim para me mirëkuptim si shoqëri e jo “duke thithur kultura evropiane” siç ka thënë zotëria.

Respekti dhe konsiderata janë vlera njerëzore dhe jo veç evropiane.

Nëse mua më kundërshton apo më kërcënon dikush në një debat, nuk kam të drejtë t`i quaj ata persona “talebana”, por kam të drejtë të them disa individë apo disa njerëz të caktuar.

Etiketime të tilla mund të nxisin urrejtje dhe aspak nuk ua shohim hairin, jo veç ne si shoqëri, por as zotëria i nderuar, sepse ka mundësi që situatat të përshkallëzojnë.

Zotëri Koci, nëna ime në SHBA mban shami për arsye besimi. Më beso, ajo merr shumë komplimente të bukura nga qytetarët amerikanë, sa herë që jemi në vende publike.

Kjo tregon një kulturë, një maturi, një vlerë njerëzore, se si duhet të jemi ndaj njëri-tjetrit.

Nëna ime, edhe fotografinë në letërnjoftim e ka me shami, sepse ligji ia ka garantuar të drejtat fetare.

Një kulturë e tillë na duhet neve.

Unë kam shumë kolege në profesionin tim, të cilat kanë titujt më të lartë akademik dhe mbajnë shami.

Do të ishe me fat zotëri Koci nëse do të kishe rast të jesh pjesëmarrës i ligjëratave shkencore që mbajnë ato, jo vetëm në SHBA, por në shumë universitete të ndryshme të botës.

Duhet të jemi mendje hapur dhe të kemi mirëkuptim edhe ndaj atyre që duken ndryshe, që jetojnë ndryshe nga ne.

Nuk mund të jemi të gjithë njësoj.

Të mos gjykojmë të tjerët, para se t`i dimë tregimet e tyre, të mësojmë pse jetojnë ashtu siç jetojnë.

Të ngrehim zërin për ata që nuk kanë zë e sidomos zërin intelektual.

Të mos lëndojmë të tjerët me opinione e komente të gabuara, sepse kjo mund të na kushtojë të gjithëve, në mënyra të ndryshme.

Duhet të kemi gjithnjë parasysh se temat fetare, për disa njerëz janë shumë të ndjeshme, andaj duhet trajtuar me shumë kujdes!

…………………
(Autorja është Magjistre e Studimeve të Varësive, Shëndetit Mendor dhe Magjistre e Drejtësisë Penale në SHBA)