Pse sonte u la e zbrazët një ulëse në teatrin e Gjilanit?

Salla e teatrit të Gjilanit po mbushet nga artdashësit, por një karrige është e zbrazët.

Menaxhmenti i teatrit ka vendosur kështu ta nderojë njeriun e teatrit, profesor Naim Shaqiri, i cili nuk jeton më.

“Naim Shaqiri, pusho i qetë mik yni dhe i teatrit që aq shumë e deshe”, është mbishkrimi në ulësen e zbrazët.

“Ideja ka qenë e kryetarit Lutfi Haziri”, thotë për Mediafokus.info, drejtori i Teatrit të Qytetit, Erson Zymberi.

Naimi ka qenë njëri nga dashamirët e teatrit, thotë, ndërkaq Raif Haziri, organizator inspicient i teatrit

‘Naimi kurrë nuk ka hy pa biletë!, thotë ai.

Përndryshe, sonte në Teatrin e Gjilanit po jepet shfaqja “Sfinga e gjallë” nga Rexhep Qosja, me regji të Blerta Nezirajt dhe lojën e aktorëve Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati e Dukagjin Podrimaj.

E shkruar në vitet e `70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur.
Të gjithë – madje edhe vet vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithë i duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.

Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarit dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Shfaqja tashmë ka filluar. Naimi, ndoshta po e sheh sonte shfaqjen nga lartësia./mediafokus.info