Psikiatri: COVID mund të sjellë shpërthime të menjëhershme edhe tek individë pa çrregullime

Një 52-vjeçar i diagnostikuar me COVID-19 është hedhur nga kati katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi” mëngjesin e djeshëm. Ky është rasti i tretë që në Spitalin “COVID-2” të infektuarit me coronavirus ndërmarrin aktin e rëndë të vetëvrasjes.

Psikiatri Neli Demi tha për Euronews Albania se COVID-19, bashkë me të gjitha problematikat që nga karantina dhe kushtëzimet e tjera, sjell një barrë të shtuar për të gjithë shoqërinë, por mund të jetë edhe një faktor precipitues të shtuar për të shfaqur probleme të shëndetit mendor, shtim të ankthit, depresionit. Por mund të bëjë të mundur edhe shfaqjen për herë të parë një çrregullim tek individë të ndryshëm.

Sipas tij, janë arsye të ndryshme që lidhen me frikën nga infektimi, infektimi i të tjerëve, humbja e financave apo punës.

Teksa paralajmëroi se pasojat psikologjike që COVID mund të sjellë janë edhe disa situata që mund të sjellin shpërthime të menjëhershme tek individë që s’kanë pasur predispozitë për çrregullime, psikiatri bëri thirrje që individët që shtrohen duhet të vlerësohen në mënyrë të hollësishme sa i përket faktorëve të predispozuar për të kryer vetëvrasje.