Psikologu amerikan jep këshilla, pa smartfonë para 14 vjeç e pa rrjete sociale para 16 vjeç…
Psikologu amerikan dhe autori i bestsellerëve, Jonathan Haidt, ka ngritur një alarm të fuqishëm për atë që e quan krizë të shëndetit mendor tek fëmijët, e shkaktuar kryesisht nga përdorimi i tepërt i smartfonëve dhe rrjeteve sociale. Gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar, Haidt promovoi një libër të tij “The Anxious Generation”, i cili ka shitur 1.7 milionë kopje dhe ka ndikuar në hartimin e ligjeve të reja në disa vende. Mesazhi i tij është i qartë: shpërthimi i teknologjisë digjitale që nga viti 2010 ka shoqëruar një rritje të ndjeshme të ankthit, depresionit dhe vetëlëndimit tek të rinjtë.
Ai propozon katër norma thelbësore për të ndalur këtë “riprogramim të madh” të fëmijërisë; pa smartfonë para moshës 14 vjeç, pa rrjete sociale para moshës 16 vjeç, shkolla pa telefona dhe më shumë lojë të lirë dhe të pavarur jashtë shtëpisë. Punimet e tij thuhet se tashmë kanë pasur ndikim në legjislacion. Në Australi, ndalimi i rrjeteve sociale për nën 16-vjeçarët pritet të hyjë në fuqi më vonë këtë vit, pjesërisht i frymëzuar nga libri i tij. Në Mbretërinë e Bashkuar, Haidt është në kontakt me zyrtarë të qeverisë dhe ka marrë pjesë në takime në Parlament për të shtyrë përpara ndryshime konkrete.
“Qëllimi nuk është t’i izolojmë fëmijët nga jeta sociale, por t’i mbrojmë nga platformat që synojnë t’ua rrëmbejnë vëmendjen”-thotë Haidt. Ndërsa shqetësimet për shëndetin mendor të brezit digjital rriten në mbarë botën, kërkimet e Haidt-it po ofrojnë si diagnozën, ashtu edhe një plan veprimi për ta përballuar këtë krizë. Ndërsa shumë shkolla në Angli kanë ndaluar përdorimin e smartfonëve, në Estoni e cila konsiderohet si fuqia e re evropiane e arsimit, nxënësve u kërkohet rregullisht të përdorin pajisjet e tyre në klasë dhe nga shtatori, atyre do t’u jepen llogaritë e tyre të Inteligjencës Artificiale. Vendi i vogël baltik me popullsi 1.4 milion është bërë në heshtje vendi me performancën më të lartë në Evropë, në programin e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për vlerësimin ndërkombëtar të studentëve (PISA), duke tejkaluar fqinjën e saj të afërt Finlandën.

