Pusi shterroi pikë për pikë pasi banorët vranë kaun e zi
Legjendat, mbase janë karakteristikë e zonave që janë shquar për inteligjencë popullore. Në Karadak tregohen legjenda për qypat e lirave, për ujin e syrit, për kaun e zi, dyluftimet e demave, për liqenin, për kroin e ilaçit, për varrin e Ajshes e për shumëçka tjetër, shkruan Mediafokus.info
Për të gjitha këto ngjarje, banorët kanë ndërtuar rrëfime interesante, që vazhdojnë të tregohen edhe në ditët e sotme. I tillë është edhe rrëfimi për liqenin që kishte shteruar ditën kur ishte vrarë kau i zi.
Në afërsi të fshatit Sefer, sipas rrëfimeve, dikur kishte ekzistuar një fushë e gjerë, me një ligje të bukur në mes, ku pinin ujë bagëtia dhe freskoheshin demat e lodhur nga dyluftimi që bënin mes vete.
Legjenda thotë se herë pas here në liqe shfaqej një dem i zi, trupmadh që tmerronte banorët kur e shihnin, ndërsa kafshët nuk guxonin t`i afroheshin ujit.
Për të shpëtuar nga ky ankth, banorët kishin vrarë demin e zi një ditë dhe ai, duke u fundosur e kishte mbyllur grykën e liqenit, me trupin e tij të madh.
Prej asaj dite, liqeni ishte tharë pikë për pikë. Ujët, për habi të banorëve, kishte shpërthyer disa metra më poshtë, mbi fshatin Pidiq.
Ky vend u quajt “Vrella e Pidiqit”, që në popull njihet edhe si kroi i ilaçit. Rreth këtij burimi janë krijuar edhe rrëfime të ndryshme. Disa besojnë se është ujë që shëron, disa edhe e kanë provuar vetë, por ka edhe të atillë që nuk besojnë në këto gjera.
Qytetarët e kësaj ane shkojnë atje për halle të ndryshme dhe luten që të lirohen prej tyre.
Sipas banorëve, te burimi del ujë i ngrohtë, por më poshtë ai të mërdhin nga të ftohtit. Është i mirë për sëmundje të lëkurës, për hemorroide, për sëmundje tjera.
Djemtë e vajzat, dikur e vizitonin këtë krua për të ndryshuar fatin. Rreth kroit, edhe sot shihen penj të kuq, të bardhë e me ngjyra tjera, të cilët ata i kanë lidhur nyje, për të zgjidhur fatin.
Në afërsi të kroit, gjenden disa themele të vjetra, që thuhet se aty dikur kishte pasur një kishë.
Legjenda që përflitet nga banorët e zonës, thotë se dikur, në afërsi të kësaj zone ishte vendosur me shator një ekspert nga Beogradi.
Pas disa ditësh, eksperti serb ishte zhdukur, ndërsa ishin vërejtur disa shpime në themelet e kishës, ku me siguri se kishin qenë të fshehur qypat e lirave, që besohet t`i ketë gjetur dhe marrë me vete.
Ai nuk ishte vendosur në këtë lokalitet për qëllime tjera, të cilin e kishte të skicuar në hartat e tij, por kishte ardhur për t`i kërkuar lirat, që e dinte se ekzistonin.
Legjenda të tilla ka edhe në zonat tjera të Gjilanit, ku gjenden themele të kalave e kishave. Një rrëfim i ngjashëm tregohet edhe për kalanë e Pogragjës.
Për këtë kala ka edhe rrëfime të tjera, si ai për vajzën e bukur që zbriste te lumi dhe lahej e krihej natën, për gurin e qumështit, për plakën që ua kishte treguar hyrjen pushtuesve dhe të tjera. /Mediafokus.info

