Qalaj: Policia s’u përfshi në arrestimin e parë të Speciales
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se me Dhomat e Specializuara në Hagë nuk ka pasur ndonjë kontakt, ndonëse kjo gjykatë është funksionalizuar tash e sa vjet.
Ai ka thënë në DESKU të KTV-së se është çështje e vendimmarrjes së kësaj gjykate se përse nuk e ftoi policinë që të bashkëpunojë, gjatë aksionit të arrestimit, pas konfirmimit të aktakuzës së parë.
“Është fakt që në aksionin e parë nuk kemi qenë të përfshirë, por unë kam qenë i njoftuar që po zhvillohet një operacion. Në momentin kur ka filluar ky aksion, ka njoftuar kolegu nga EULEX-i”, ka thënë Qalaj.
Ai ka dhënë detaje edhe rreth përfshirjes së policisë një ditë pas arrestimit të Salih Mustafës, kur edhe u arrestuan dy krerët e OVL-së së UÇK-së, nën akuzat për pengim të drejtësisë.
“Të nesërmen e kemi parë një tollovi para Zyrës së Veteranëve dhe Policia e Kosovës është dashur të arrijë ta bëjë një qetësim të situatës. Besoj që ka ndikuar mjaft shumë që situata të qetësohet”, ka thënë ai.
Si ka shtuar Qalaj, vendimet janë të zyrtarëve që punojnë në Speciale. Ai ka shtuar se për këtë gjë ka diskutuar edhe me partnerë ndërkombëtarë.
“Kam biseduar me shumë partnerë tanë dhe kam kërkuar që Policia e Kosovës të jetë primarja në të gjitha aktivitetet që ndodhin në Kosovë. Konsideroj që Policia e Kosovës duhet të jetë e kyçur, është polici e vendit dhe ajo duhet të angazhohet si polici e vetme në të gjitha aktivitetet që ndodhin”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se “nuk e di” nëse një gjë e tillë paraqet mungesë besimi te PK-ja.
“S’kam pasur ndonjë kontakt me zyrtarë nga Haga, por kam pasur kontakt me udhëheqësin e misionit të EULEX-it dhe zëvendësin e tij dhe i kemi diskutuar këto gjëra… Besoj se Policia e Kosovës do të jetë e angazhuar”, ka thënë Qalaj.

