Shumat e ndara nga Qeveria përmes këtyre skemave janë kritikuar ashpër nga opozita duke pasur parasysh inflacionin e paprecedentë që ka karakterizuar vendin në vitet e fundit, për të cilin ekzekutivi bëri pak për t’ia ndalur hovin.

Murati tha të hënën se “të gjithë prindërit përfitues kanë pranuar në llogaritë e tyre pagesën e shtesave për fëmijë për muajin gusht, sipas skemës së re, ku familjet që kanë deri në dy fëmijë 0-16 vjeç marrin nga 20 euro për secilin, kurse familjet që kanë 3 e më shumë fëmijë 0-16 vjeç marrin nga 30 euro për secilin.

Në këtë kontekst, opozita kishte kritikuar në vazhdimësi politikat e Qeverisë së Kosovës.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i kishte quajtur skemat e tilla si “skema të blerjes së votave”.

Sipas saj, qytetarëve po iu kthehet vetëm një pjesë e asaj çfarë pushteti aktual ua mori në tre vite e gjysmë si pasojë e çmimeve të larta.

“Sot, në emër të mirëqenies së fëmijeve Qeveria e dështimve dhe e korrpucionit filloj zyrtarisht fushatën me ”skema për blerje të votave”. Në këmbim të votës së tyre ju kthehet qytetarëve vetëm një pjesë e asaj çfarë qeveria ka marrë nga ata që tri vite e gjysëm si pasojë e çmimeve më të larta”, kishte deklaruar mes tjerash Bajrami në një reagim në Facebook.

Nga ana tjetër, koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, një vendim të tillë nga ekzekutivi e kishte ndërlidhur me vitin e fundit të mandatit.

“Kjo është mënyra kryesore se si po e shpenzon buxhetin kjo qeveri! Mban qytetarët të varur nga ndihmat simbolike të kohëpaskohshme, por nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme për asnjë kategori të qytetarëve. Ky është mentalitet i qeverisjes në varfëri”, ka deklaruar Mustafa.

Ndryshe, 44 për qind e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte ndërsa shpenzojnë më shumë, sipas një ankete të publikuar nga UNDP në fund të vitit të kaluar.

Mbi 91 për qind e të anketuarve ishin shprehur të shqetësuar me rritjen e çmimeve në Kosovë.