Qeveria merr vendim, mbyllet platforma TikTok në Shqipëri
Në mbledhjen e qeverisë së kësaj të enjteje është marrë vendimi për mbylljen e platformës TikTok.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur se kufizimi do të jetë për një periudhë 12 mujore.
“Kemi marrë vendimin për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës online TikTok. Ne kemi zhvilluar një seri konsultimesh me prindërit rreth 65 mijë prindër të pyetur në rreth 1300 takime të realizuara sa i përket efekteve që lidhen me sigurinë e fëmijëve në mjedisin digjital dhe efektet negative që mund të sjellin në shëndetin dhe mirëqenien psiko-emocionale të fëmijëve”, ka thënë Manastirliu.
“Duke marrë për bazë të gjitha faktet dhe elementet që për ne kanë pasur rëndësi maksimale që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve në mjedisin digjital kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për platformën TikTok. Ky kufizim aksesi do të jetë për periudhë 12 mujore që do na lejojnë kohën për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok. Është vendim që ka në fokus interesin e fëmijëve, të rinjve”, tha ndër të tjera ministrja.

