Qeveria përkrah shtrenjtimin e rrymës, arsyetohet me faktorët e tregut
Ministria e Ekonomisë ka reaguar në lidhje me shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), duke bërë të ditur se ka analizuar raportet konsultative dhe ka propozuar disa masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.
Në komunikatë, Ministria pranon se shtrenjtimi i energjisë elektrike është i pashmangshëm, por thekson se rritja nuk do të prekë konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kWh, ndërsa ata me konsum më të lartë do të paguajnë më shumë përmes një sistemi me blloqe të reja tarifore.
Ministria përmend disa faktorë që sipas saj kanë ndihmuar në frenimin e shtrenjtimit të rrymës.
Por pavarësisht këtyre, Ministria paralajmëron se faktorët e jashtëm vazhdojnë të krijojnë presion në sektorin energjetik, duke përmendur çmimet e larta të importit dhe rehabilitimin e termocentralit Kosova B, që do të ndikojë në uljen e prodhimit për disa muaj.
Në anën tjetër, Ministria thotë se po investon në zgjerimin e kapaciteteve gjeneruese nga era dhe dielli, vendosjen e baterive për ruajtjen e energjisë, si dhe modernizimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në disa qytete.
Në fund, Ministria thekson se me ndihmën e BE-së janë investuar mbi 35 milionë euro në projekte për rritjen e efiçiencës, me qëllim uljen e varësisë nga importi dhe reduktimin e ndotjes së ajrit.
Megjithatë, qytetarët mbeten të shqetësuar për pasojat e shtrenjtimit të energjisë dhe efektin që kjo rritje do të ketë në xhepat e tyre.


 
 
						 
						