Qeveritë e përbëra nga burrat, nuk e kanë ndjeshmërinë e duhur ndaj interesave dhe kërkesave të grave
Lindita Salihu
8 Marsi – Dita ndërkombëtare e gruas, është një moment reflektimi për përpjekjet dhe sakrificat e vazhdueshme të grave, ndër vite e dekada, për realizimin e të drejtave të tyre dhe arritjen e barazisë me burrat.
8 Marsi shërben si një kujtesë se si duhet të flasim për të drejtat e grave dhe vajzave, çdo ditë të vitit. Është një ditë për të festuar arritjet e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave dhe për të denoncuar çdo formë diskriminimi, dhune dhe ngacmimi ndaj tyre.
Ne si gra e vajza, nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë, përkundrazi duhet të luftojmë dhe të besojmë se pavarësisht pengesave e sfidave që mund të na dalin rrugës, ne duhet të gjejmë forcë të ecim përpara, derisa ta arrijmë barazinë faktike me burrat, sepse me ligje dhe kushtetutë i kemi të garantuara këto të drejta.
Na gëzon fakti se kudo që i kemi gratë në udhëheqje apo vendimmarrje, ato po e dëshmojnë veten te zonja, të përgjegjshme, të pa korruptuara.
Gratë kryejnë sot detyra e punë me mjaft përgjegjësi dhe shembuj të tillë kemi edhe në Gjilan, ku Kuvendi Komunal udhëhiqet nga një grua (Shpresa Kurteshi-Emini) dhe atë në mënyrë të mrekullueshme.
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, gjithashtu udhëhiqet nga një drejtoreshë e suksesshme (Valbona Tahiri) duke bërë punë të mira për Gjilanin, kurse Drejtoria e Kulturës udhëhiqet nga një drejtoreshe mjaft kreative (Deniza Limani), e cila po e bënë Gjilanin qytet të kulturës dhe sportit.
Shpresojmë se kryetari i Komunës, me një riformatim të qeverisjes, të cilin e ka paralajmëruar, do të merre në konsideratë më shumë gra e vajza në pozita drejtuese, me qëllim që të bëhemi komunë edhe më e suksesshme.
Qëllimi ynë nuk është që të jemi vetëm numër në qeverisje, por drejtuese kreative e të shkathëta. Kjo edhe duhet të ndodhë, sepse qeveritë e përbëra nga burrat, nuk e kanë ndjeshmërinë ndaj interesave dhe kërkesave të grave ashtu siç meritojnë ato.
Sa i përket numrit të të punësuarve në institucionet publike në komunën e Gjilanit, mund të them se gjerat nuk qëndrojnë keq, pasi që 48 për qind janë gra, ndërkaq 52 për qind të tjerët burra.
Kjo tregon se kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri ka pasur një qasje mjaft pozitive në përkrahjen e aktiviteteve që promovojnë barazinë gjinore, duke rekomanduar përparësi në punësim të vajzave dhe grave, në kushte të barabarta.
Nuk duhet harruar as përkrahjen financiare për strehimoren për mbrojtjen e gruas dhe fëmijës “Liria”, përkrahjen për nënat vetushqyese, duke u siguruar banimin si dhe gjithë angazhimin tjetër për kategoritë e margjinalizuara, duke ndërtuar fshatin social, ku do të ketë hapësirë për të gjitha kategoritë përmendura.
Me të drejtë thuhet: “Feminist është kushdo që njeh dhe vlerëson barazinë dhe vlerat, si të grave, ashtu edhe të burrave”.

