Qeveritë në botë e shfrytëzuan pandeminë për vëzhgim online dhe mbledhje informacionesh
Qeveritë në gjithë botën kanë shfrytëzuar pandeminë e koronavirusit, si arsye për të zgjeruar vëzhgimin online si dhe mbledhjen e informacioneve, më pas censurimin e fjalës kritike dhe ndërtimin e sistemeve teknologjike për kontroll shoqëror, thuhet në raportin më të ri të organizatës që merret me demokraci dhe të drejta të njeriut, Freedom House.
Liria në Internet më 2020, është raport që ka përfshirë 65 shtete, të cilat përbëjnë 87 për qind të përdoruesve të internetit në gjithë botën.
Raporti fokusohet në zhvillimet që kanë ndodhur në periudhën qershor 2019 – maj 2020.
Qarkullimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe mbikëqyrja biometrike – me qëllim të adresimit të krizës së shëndetit publik – ka krijuar rreziqe të reja për të drejtat e njeriut. Aplikacionet e telefonave të mençur për gjurmim apo vëzhgim të masës së karantinës, janë prezantuar në 54 prej 65 shteteve që janë përfshirë në këtë raport.
Aty është thënë se pak shtete kanë mekanizma për mbrojtje të të dhënave personale kundër praktikave abuzive nga shteti apo sektori privat.
Liderët politikë janë duke shfrytëzuar pandeminë si pretekst për të censuruar lajmet që nuk janë në të mirë të tyre, që të arrestojnë kritikë apo grupe fetare e etnike. Në të paktën 45 shtete, aktivistët, gazetarët dhe pjesëtarë të publikut, janë arrestuar apo akuzuar me padi penale për fjalimet online të lidhura me pandeminë.

