QKUK: S’ka rrezikim të pacientëve në mjekësi sportive, furnizimi me oksigjen është stabil

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka thënë se nuk ka probleme dhe rënie të sasisë së furnizimit me oksigjen në objektin e Mjekësisë Sportive ku po trajtohen pacientët me COVID-19, duke demantuar kështu shkrimet e mediave, shkruan Mediafokus.info.

Përmes një komunikate për media, QKUK thotë se ky objekt është nën monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme nga ekipet e sektorit teknik dhe nuk ka pasur rrezikim të jetës së pacientëve.

“Në lidhje me raportimet e disa medieve se ka pasur probleme dhe rënie të sasisë së furnizimit me oksigjen në Objektin e Mjekësisë Sportive, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, njofton se furnizimi me oksigjen në klinikat e QKUK-së, përfshirë edhe këtë objekt është nën monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme nga ekipet e sektorit teknik dhe nuk ka pasur rrezikim të jetës së pacientëve”, thuhet në njoftim.

Më tej, SHSKUK kërkon nga mediet që të jenë të kujdesshme në raportimet e tyre në lidhje më këtë çështje dhe mos të krijohet panik në opinion.

“SHSKUK siguron qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për trajtim profesional të pacientëve me COVID-19 dhe furnizimi me oksigjen në klinika është stabil”, thuhet në njoftim./mediafokus.info/