Quni: Nuk i jam gëzuar arrestimit të Thaçit dhe Veselit nga Specialja

Anton Quni, ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, thotë se nuk i është gëzuar arrestimit që Specialja i ka bërë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, dhe uron që UÇK të vazhdojë ruajtjen e imazhit të mirë, pavarësisht ngjarjeve me Gjykatën Speciale.

Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, flet edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në Kosovë, të ardhmen e tij politike dhe mundësinë e bashkëpunimit me Vjosa Osmanin.Anton Quni i cili vjet më parë kishte deklaruar që Thaçi e Veseli e kanë vendin në burg dhe se do të qëndrojë në politikë derisa të dy të i shoh prapa grilave, thotë se nuk i është gëzuar arrestimit të asnjërit prej tyre.

Ministri i Mbrojtjes, duke mos dashur të flas më shumë rreth kësaj çështje, për shkak të postit që ushtron e edhe të situatës në Hagë, thotë se në këtë periudhë duhet përmbajtur nga deklaratat.“Pasi zoti Thaçi e zoti Veseli janë duke u përballë me drejtësinë nuk do te ishte e ndershme nga kjo pozitë unë të rëndoj edhe më shumë situatën, ne tani duhet të përmbahemi nga deklaratat, posaçërisht nga pozita e ministrit të Mbrojtjes, por asesi nuk i jam gëzuar për cilindo autoritet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që duhet me u përballë me autoritetet e gjykatës ndërkombëtare”, thotë Quni për Kp.Ish-luftëtari i Betejës së Kosharës thotë se brenda organizimit ushtarak ekziston një kulturë e përkrahjes reciproke.

“Askush nuk i gëzohet nëse një pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet me u përballë me gjykatën ndërkombëtare. Ne urojmë që gjithë ato veprime të UÇK-së pa marrë parasysh si do të jetë epilogu individual për të akuzuarit, të ruaj imazhin e mirë qe e ka të qytetarët por edhe në përgjithësi nga komuniteti ndërkombëtar. Tek e fundit ka qenë një luftë çlirimtare që është zhvilluar në Kosovë, jo jashtë kufijve të Kosovës, kur qenia e popullit shqiptar ka qenë në pikëpyetje nga agresioni serb”, thotë ai.