Qytetari kërcënon me sëpatë punonjësit e Komunës
Një incident i rëndë është shënuar mëngjesin e djeshëm në ambientet e Komunës së Shtimes, ku një person dyshohet se ka kanosur punonjësit komunalë dhe ka dëmtuar pasurinë publike, raporton Sinjali
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:10, në rrugën “Tahir Sinani”, brenda objektit të KK Shtime.
Burime të sigurta bëjnë me dije se i dyshuari është H. H, i cili ka hyrë në objekt duke mbajtur një sëpatë, me të cilën ka kanosur punonjësit se do t’i sulmonte, ndërsa më pas ka goditur kornizën e dritares së sportelit, duke shkaktuar dëme materiale.
Pas incidentit, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Shtime.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e veprave penale “Kanosje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit. (Foto ilustrim)

