Qyteti i Gjilanit po degradohet në përmasa absurde: Shkatërrohet parku, betonohen trotuaret, ngushtohen rrugët…
Të projektosh parkingje në një rrugë kaq të ngushtë, madje në të dyja anët e saj, t`i betonosh trotuaret, si dhe ta degradosh parkun e qytetit deri në këtë derexhe, është një gabim i madh urbanistik e ambiental.
Në qytetin e Gjilanit, ku edhe ashtu rrugët ekzistuese nuk po mund ta përballojnë trafikun e dendur, sidomos gjatë muajve të verës, kur vijnë edhe mërgimtarët, tani po ndodh edhe kjo.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, madje po mburret me këto projekte, të cilat në të vërtetë e defunksionalizojnë qytetin.
Gjithkah nëpër botë, trotuaret bëhen me kubëza, për të thithur më shpejt ujin e shirave dhe për t`i lejuar tokës frymëmarrjen.
Në Gjilan, po ndodh e kundërta. Po hiqen kubëzat dhe po betonohen trotuaret.
Anomalia tjetër është se në këtë rrugë trafiku zhvillohet në të dyja drejtimet, ndërsa sipas kësaj shenje që e kanë vendosur ekspertët e Komunës në këtë rrugë lidhëse, ndalohet lëvizja majtas.
Nëse merret për bazë shenja dhe duhet të merret derisa ekziston, policia duhet t`i gjobisë të gjithë shoferët që kthehen majtas.
Përndryshe, qytetarë dhe ekspertë të ndryshëm të qytetit adresojnë çdo ditë kritika publike ndaj Komunës së Gjilanit dhe kryetarit të saj për gjithë këtë kaos urbanistik që është duke e shkaktuar.
Por, kush e dëgjon zërin e qytetarit. Sepse, po të pyetej e dëgjohej qytetari, as parku i qytetit nuk do të degradohej deri në këtë masë.
Në shtetet ku ka ligj, as edhe një dru nuk mund të pritet e krasitet në këtë mënyrë pa referendum qytetar.
Në Gjilan, ‘sëpata e madhe’ po pret pa pyet askënd. Çdo gjë po bëhet pa vizon e pa cilësi. Vetëm këtu është parë që asfalti të hiqet me dorë sikur petë lakrori. /Mediafokus





