Rada Trajkoviç: Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë qenë truproje të Vuçiqit
Rada Trajkoviç, një politikane serbe në Kosovë, ka thënë se Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë qenë truproje të Vuçiqit. Për më tepër, ajo deklaron se presidentit serb negociatat me Kosovën i shërbejnë për të mbetur në pushtet, duke pasur parasysh dosjen e trashë që ka për të bashkësia ndërkombëtare sa i përket kriiminalitetit dhe korrupsionit.
Sipas saj Serbia në Kosovë i ka larguar institucionet e saj, por ato janë zëvendësuar me mafinë e paskrupullt. «Më e tmerrshmja është se të gjithë kryetarët e komunave (serbe në Kosovë) i ka zgjedhur Milan Radoiçiqi».
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nuk e njeh Radoiçiqin, ndërsa më vonë e ka mbrojtur.
Rada Trajkoviq në këtë intervistë e përgënjeshtron Vuçiqin, i cili ka thënë se nuk e njeh Radoiçiqin. Sipas saj kur Vuçiq ka qenë për vizitë në Srebrenicë, Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kanë qenë truproje të tij. Këta janë njerëzit të cilëve Vuçiq u beson më së shumti.
Trajkoviq kështu e përshkruan rolin e Radoiçiqit në politikën e Kosovës: «Kam pasur komunikim me liderët e shqiptarëve, të cilët më tregojnë se me rastin e punësimeve në institucione, nëse, ta zëmë, një pastruese sipas njëfarë strukture duhet të jetë serbe, këtë duhet ta nënshkruajë Radoiçiqi».
Sipas Trajkoviq grupi i Radoiçiq kontrollon si rrogat që vijnë nga Serbia për zyrtarët serbë, ashtu edhe rrogat që buxheti i Kosovës ia paguan nëpunësve serbë.
«Çdo padëgjueshmëri ndëshkohet me humbje të vendit të punës. Këtë e bënë mafia, dhe çfarë më shqetëson më së shumti është se BIA (shërbimi sekret serb) diku ka bashkëpunuar me mafinë. Shefi i BIA-s për Kosovën, një Dimiq, të cilin e njoh si djalosh nga Prishtina, ka pasur brifingje të rregullta me Radoiçiqin dhe të tjerët. Kështu populli e kuptoi se këto janë struktura që i kanë vendosur Vuçiqi dhe Aleksandar Vulini dhe tash janë disi të ndërlidhura me sistemin e sigurisë të Serbisë».

