Rama angazhon ushtrinë dhe policinë kundër koronavirusit

Kryeministri Rama ka folur për herë të parë pas viktimës së parë me koronavirus, shënuar në spitalin e Durrësit.

Përmes një lidhje live në rrjetin social, Rama ka paralajmëruar të gjithë të kthyerit nga Italia, duke u shprehur se nga nesër kush kapet në rrugë nga postoblloqet e policisë dhe ushtrisë, do të gjobitet me 5 mijë euro.

Rama ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të ruajnë veten dhe familjarët, duke ulur numrin e daljeve të panevojshme. Në fund të videos së tij kryeministri ka kërkuar zbatimin e këshillave të mjekëve për higjienën.

“Nuk po vjen fundi i botës, por vetëm të vetërrethohemi për disa javë me muret e izolimit nga kontaktet e përditshmërisë sonë. Ata që janë kthyer 14 ditët e fundit nga Italia apo Greqia, ose zona të tjera të prekura të vetëizolohen në shtëpitë e tyre.

Nga sot do dalë në rrugë një formacion i perbashket i policise së shtetit e asaj ushtarake që do të organizojnë postblloqe për kontrolle të automjeteve dhe do ndalojnë e verifikojnë nëse në automjet ka të ardhur nga Italia apo Greqia në 14 ditët e fundit që ndalohen të dalin nga shtëpia për 14 ditë.

Nga nesër kush prej tyre do kapet do dënohet me 5 mijë euro gjobë. E do ndalohet të largohet nesër në Itali nëse s’do ketë paguar gjobën”./Express