Rama: Kosova bën teori konspiracioni për Open Balkan
Kryeministri Edi Rama kritikoi edhe një herë Kosovën për faktin se nuk përfshihet në nismën Open Balkan.
Gjatë konferencës për mediat me kancelaren gjermane Angela Merkel, Rama zbuloi se një ndër pengesat për këtë nismë ka qenë Serbia.
“Kancelarja me të drejtë i mëshon në mënyrë të vazhdueshme nevojës që 6 vendet të nënshkruajnë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal. Procesi i dakordësimit është i ngatërrimit dhe ajo që kemi parë në të shkuarën është që një vend apo tjetër bën që të gjithë të ngecin prandaj Ballkani i Hapur nuk është krijuar për të përjashtuar njeri por për të mos u varur nga vetot e njërit apo teoritë e konspiracionit të tjetrit.
Procesi i Berlinit ka 4 liritë e BE, të njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve dhe investimet që vijnë nga paketa e komisionit. Sa i përket investimeve, ecën paralelisht. Sa i përket 4 lirive, duam të ecim më shpejt. Një nga pengesat ka qenë se Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve se ka pasur paragjykimin se lëvizja e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ishte e garantuar. Sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet por rri dhe bën teori konspiracioni për “Open Balkan”.
Nuk është hera e parë që Rama kritikon Kosovën dhe drejtuesit e saj për mospranimin e përfshirjes në këtë nismë, ku deri tani janë angazhuar vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar Ballkanin e Hapur, duke e quajtur të orientuar nga Lindja, “nga ndikimet ruse dhe kineze”.

