Rama thotë se presidenti Meta ishte një komandant kaçak në krye të ushtrisë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Partia Socialiste do të çojë për votim si kandidat për President Shefin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begajn.
I pyetur nga gazetarët nëse zgjedhja si kandidat i Begajt, i cili të shtunën pritet të konfirmohet zyrtarisht si president i Republikës, u bë për faktin se ushtrisë shqiptare i duhet një drejtues i aftë, pasi shpesh kreu i qeverisë ka akuzuar Ilir Metën si të paaftë në këtë drejtim, Rama tha se më në fund ushtria do të ketë një komandant, pasi deri më sot ka patur kaçak në krye.
Pyetje: A është përzgjedhur zoti Begaj si kandidat për President që Shqipëria të ketë një komandat për ushtrinë, pasi presidenti është edhe Kreu i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, pasi shpesh ju keni akuzuar zotin Meta?
Rama: Sepse Ilir Meta nuk është komandant është kaçak, por sigurisht që ky vend ka patur dhe kaçakë shumë të famshëm në të cilën meta ka pasur pjesën e vet bashkë me Haxhi Qamilin. Për tu kthyer tek tema, ne sot kemi konsideruar me shumë respekt një numër kandidaturash që kanë rezultuar të jenë në grupin e fundit, 6 kandidatura. Me shumë kujdes kemi renditur të gjitha aspektet pozitive, apo aspektet që mund të krijojnë diskutim edhe debat, kemi arritur në konkluzionin që zoti Bajram Begaj është i duhuri për të qenë president i republikës. Ne kemi një eksperiencë të mëparshme, zotin Alfred Moisiu, i cili vinte nga ushtria dhe u bë President. Të gjithë presidentët pas tij kanë qenë kaçakë.
Kujtojmë që Presidenti i Republikës së Shqipërisë është njëherësh edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. /Abcnews.al/

