Raportohet se është arrestuar komandant Remi

Gazeta Paparaci ka publikuar një lajm, në të cilin ka raportuar për arrestimin e Rrustem Mustafës, që gjatë kohës së luftës ishte njohur me nofkën komandant Remi. Në raportimin e Paparacit, shkruhet se arrestimi ka ndodhur para pak çastesh.

Duke u thirur në burimet e tyre, Paparaci raporton se Remi është dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë.

Ndryshe, ish-komandanti i Zonës Operative të UÇK-së në Llap kohë më parë kishte dhënë një dëshmi të gjatë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar, ku ishte pyetur rreth figurave të caktuara, njësiteve e brigadave në zonën e Llapit.

Në fakt, në ditën e parë të dëshmisë së tij, ish-deputeti i PDK-së sqaronte se kur ishte bërë pjesë e UÇK-së, pozitën e tij, komunikimin me Shtabin e Përgjithshëm, duke dhënë edhe emra të përveçëm lidhur me funskionet e shtruara nga ta.

Komandant Remi ishte përballur me disa dokumente, në njërin prej të cilëve shihej firma e Jakup Krasniqit, i akuzuar nga Gjykata Speciale për krime të luftës. Dokumenti ndërlidhej me mënyrën se si duhet të veprojnë ushtarët me gazetarët e vëzhguesit e OSBE-së, raportonte Nacionale.

“Shihet qartë se është i zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare, Jakup Krasniqi. Po e shoh tani si dokument, por nuk më kujtohet. Unë e di që është diskutuar brenda radhëve të UÇK-së mirësjellja me vëzhgues e gazetarë por edhe me gjithçka që komunikonte me luftën tonë, por dokumenti nuk po më kujtohet. As sot nuk e di kush ka qenë (për vëzhgim). Për zonën e Llapit e kam caktuar unë, jo shtabi i përgjithshëm”, ka deklaruar Rrustem Mustafa.

Pasi e kishte përfunduar dëshminë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, z. Mustafa kishte deklaruar se asnjë shpifje ndaj UÇK-së nuk do ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e Milosheviqit.

“Ata me po aq zell vazhdojnë ta zbulojnë fajin e të tjerëve, ndërkohë që nuk distancohen nga krimet që ka bërë një regjim, një shtet, njerëz konkretë në kohë dhe hapësirë të caktuar. Asnjë shpifje kundër të tjerëve, veçmas UÇK-së, asnjë imputim nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi, i cili duke indoktrinuar të tjerët e indoktrinoi veten, siç shihet, përjetësisht.” – deklaronte ai.

Ndryshe, Rrustem Mustafa, i njohur në publik si Komandant Remi, ishte njëri nga anëtarët e moçëm të PDK-së, nën logon e të cilës partie ishte bërë deputet, por edhe këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, që ishte edhe themelues e kryetar i PDK-së për shumë vite.