Rasti i Liridona Ademajt – sot vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit, familja kërkon drejtësi

Gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt pritet të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca do të nisë në orën 09:00, ashtu siç ka njoftuar vëllai i viktimës, Leonard Ademaj.

Seanca e fundit në këtë rast ishte mbajtur më 14 korrik, ku dëshmoi pikërisht Leonard Ademaj.

Gjatë deklarimit të tij, ai kërkoi dënim maksimal për dorasin, duke theksuar se vrasja e motrës së tij ishte e planifikuar dhe e egër.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Në mesin e të akuzuarve për këtë krim është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen.

Sipas Prokurorisë, Murseli i kishte premtuar Granit Plavës shumën prej 30 mijë euro për ta kryer vrasjen.

I akuzuar tjetër në këtë rast është edhe Kushtrim Kokalla, i cili dyshohet për përfshirje në organizimin e krimit. /Telegrafi/