Rasti i Musah Hamitit, lirohen dy shtetaset shqiptare, kërkohet “Agushi” nga Haraqina

Gazeta Insajderi ka konfirmuar që dy shtetaset shqiptare që ishin arrestuar e paraburgosur në lidhje me zhdukjen e biznesmenit gjilanas, Musah Hamiti janë liruar nga paraburgimi. Prokuroria tash është në kërkim të një të dyshuari. Dihet që ai njihet si “Agushi” nga Haraqina e Maqedonisë. Insajderi sjell detaje ekskluzive.

Për disa javë qëndruan në paraburgim si të dyshuarat kryesore në lidhje me zhdukjen e biznesmenit gjilanas, Musah Hamiti. Por, ditë më parë dy shtetaset shqiptare Silvana Dulellari dhe Marinela Markoviç janë liruar nga paraburgimi.

Ato dyshohej se ishin personat e fundit që e panë të gjallë Hamitin, i cili më vonë u gjet i vdekur në një bodrum të një kompleksi banesor në Gjilan.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me avokaten e Marinela Markoviç, Zanita Leka-Ademi, e cila ka konfirmuar lirimin e klientes së saj.

Gazeta Insajderi merr vesh që pas lirimit të Silvana Dulellarit dhe Marinela Markoviç, Prokuroria Themelore në Gjilan ka një të dyshuar tjetër që është i përfshirë në rrëmbim, dhe me gjasë edhe në vrasje të biznesmenit gjilanas, Musah Hamiti.

“Agushi” nga Haraqina e Maqedonisë. Ky është informacioni që deri tash e di Prokuroria për këtë person.

Siç merr vesh Gazeta Insajderi ky është personi që edhe kishte kërcënuar Marinela Markoviçin në vendin e saj të punës, ku ia kishte përmendur edhe familjarët e saj, duke i kërkuar që ajo ti jepte informacione për lëvizjet e tashmë të ndjerit Hamiti.

“Kemi një çështje të vjetër pa e zgjidhur, dhe prandaj dua ta takoj”, ky kishte qenë arsyetimi pse “Agushi” nga Haraqina po e kërkonte Musah Hamitin.

Sipas deklaratës së saj “personi që e ka rrëmbyer Musahun është Agushi nga Maqedonia, i cili është i moshës rreth 50 vjeçare”, derisa deklarimet e tjera me përfshirjen e një taksisti dhe bashkëbanueses së saj, ishin deklarata që i ka dhënë e frikësuar nga kërcënimet.

Musah Hamiti fillimisht ishte deklaruar i zhdukur dhe pas disa javësh u gjet i vdekur në bodrumin e një kompleksi banesor në Gjilan.