Rasti i vrasjes së gruas në Kamenicë kthehet në rigjykim
Gjykata Themelore në Gjilan e kishte dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Nuhi Mavrovqani nga Kamenica, për vrasjen e gruas së tij, në dhjetor 2020. Apeli e anuloi këtë vendim.
Mavrovqani e kishte pranuar pjesërisht fajësinë për vrasjen e bashkëshortes, por që ky pranim i fajësisë nuk ishte pranuar nga gjykata.
I akuzuari Nuhi Mavrovqani u dënua me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.M., më 25 korrik 2020, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e ka goditur në dorën e majtë dhe në kokë dhe ka vazhduar ta godas edhe pasi është rrëzuar në dysheme, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Gjykata e Apelit aprovoi ankesën e mbrojtësit të akuzuarit N.M. por edhe sipas detyrës zyrtare dhe anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 04.12.2020. Rasti kthehet në rivendosje.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim me dispozitat ligjore.
Në fakt nuk janë dhënë arsyet në të cilat është bazuar, më rastin e zgjedhjes se çështjes juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal, ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij.
Mbetet të shihet si do të rivendoset në rigjykim ky rast i rëndë.

