Rasti Zemaj si pasqyrë e reagimeve tona të shpejta dhe emocionale
Nga Dr. Elez Elezi
“Të dobëtit kërkojnë hakmarrje, të fortët falin, të mençurit, njerëzit intelegjent i injorojnë dhe zemra ndonjëherë ndjek rrugët e saj të papritura.”
Ngjarja me deputetin Armend Zemaj, e cila u përhap me shpejtësi në portale dhe rrjete sociale, është bërë simbol i një realiteti që e jetojmë çdo ditë: reagojmë më shpejt sesa mendojmë.
Një moment tensioni, një veprim i nxituar, dhe menjëherë shpërthen “stampedja” e reagimeve, komenteve dhe paragjykimeve publike.
Në pak minuta, një incident personal u shndërrua në çështje kombëtare.
Dhe kjo ndodh shpesh në shoqërinë tonë digjitale, ku emocioni mbizotëron mbi arsyen, e gjykimi bëhet më i shpejtë se analiza.
Por përtej figurës së politikanit, ky rast flet për ne si qytetarë, për mënyrën se si secili prej nesh reagon ndaj provokimit, ofendimit apo padrejtësisë.
Në këtë kuptim, thënia e mësipërme është më aktuale se kurrë:
Të dobëtit kërkojnë hakmarrje, sepse reagojnë me ndjenja e jo me mendje.
Të fortët falin duke treguar se kontrolli është më i fuqishëm se zemërimi.
Të mençurit injorojnë, duke zgjedhur paqen përpara debatit të kotë.
Në një botë ku një klikim mjafton për të ndezur një valë zemërimi, ndoshta duhet të kujtojmë se forca e njeriut matet me qetësinë e tij, jo me shpejtësinë e reagimit.
Sepse në fund, nuk na përcakton momenti i zemërimit, por mënyra si e menaxhojmë atë.
Vetëm atëherë mund të dalim nga “stampedja” e reagimeve dhe të hyjmë në hapësiren e arsyes.
