Reagon analisti: Lutfi Haziri ishte në burg e babën e kishte veprimtar, s’mund ta akuzosh për listën serbe
Analistët në Kanal 10, por edhe analistët në Debat Plus e kanë akuzuar ashpër zv. kryeministrin Besnik Bislimi për akuzat e tij në drejtim të Lutfi Hazirit. Sipas tyre, kjo qasje vetëm është duke e ndihmuar Kryetarin aktual të Gjilanit.
Sipas opinionistit Bardhyl Meta “as Alban Hyseni e as Besnik Bislimi s’kanë kredo morale, sepse Lutfi Haziri ishte në burg dikur, por edhe babai i tij ishte veprimtar i LPK-së në Zvicër”.
Po ashtu, edhe përkrahësi i Lëvizjes Vetëvendosje, opinionisti z. Blerim Gashi ka thënë se nëse këtë formë e kanë zgjedhur Vetëvendosja e Gjilanit për të bërë fushatë në balotazh, beson se nuk iu bënë nder.
Analisti Fidan Rama ka thënë se është lajm i mirë që serbët po marrin pjesë në zgjedhje. Sipas tij tendenca për ta lidhur votimin e serbëve për Hazirin me Vuciqin është katastrofike dhe skandaloze. Në vendbanimet serbe, përpos Lutfi Hazirit ka marrë vota edhe Alban Hyseni.
Halil Matoshi ka theksuar se është e drejtë absolute që serbët ta votojnë njërin prej kandidatëve në Gjilan. Sipas Matoshit, Lutfi Haziri paska punuar mirë dhe i paska bindë që ta votojnë, transmeton gjilanisot.
Edhe në emisionin Debat Plus, gazetari Astrit Gashi ka akuzuar qasjen e Besnik Bislimit duke theksuar se pikërisht Kurti i ka pritur deputetët e Listës Serbe për ta bërë znj. Vjosa Osmani Presidente.

