Reagon Bajqinovci: Në këtë pozitë bashkëshortja ime është caktuar para 7 viteve
Deputeti Mefail Bajqinovci (LVV) e ka quajtur shpifje shkrimin e portalit insajderi.org në lidhje me avancimin e bashkëshortes së tij në QKUK, duke publikuar edhe vendimin ku shihet se në këtë pozitë ajo ishte caktuar në vitin 2016.
“Për të gjithë publikun, pas lajmit të pavërtetë nga gazeta “Insajderi.org” për “avancimin” e bashkëshortes time, dua të sqaroj se bashkëshortja ime pozitën e Kryeinfermieres në Patologji-QKUK e ka mbajtur nga viti 2016 deri sot (më poshtë Vendimi i bashkëngjitur së bashku me vendimin dhe kontratën e punës).
Pra, bashkëshortja në këtë pozitë është emëruar para 7 viteve U.D. kryeinfermierës në klinikën e Patologjisë në QKUK.
Pra, nuk ka pasur asnjë lloj avancimi e aq më pak ndikimi, sepse thjesht është vazhduar mandati i saj përmes një konkursi të brendshëm për pozitën e Kryeinfermieres së Repartit të Patologjisë, që bashkëshortja ime e ka ushtruar që nga viti 2016 deri më sot.
Ndërsa në këtë klinikë është e punësuar në vitin 1999.
Në një tekst plotësisht të pavërtetë, në hyrje të të cilit qysh në fjalinë e parë më cilësojnë “pushtetar të famshëm” ndërkohë që unë nuk mbaj asnjë pozitë ekzekutive, shpifin se bashkëshortja ime s’do të jetë infermiere e thjeshtë dhe se është “avancuar nga mamie në kryeinfermiere”
Këtë shpifje mundohen ta ndërtojnë mbi ndonjë supozim fiktiv që e tërheqin si paralele në publik, duke e përmendur mundësinë e ndikimit nga unë, vetëm e vetëm që shpifja e tyre të marrë kuptim.
Prandaj të njëjtën e kanë mveshur me potencialin e gjasës si dekorim për shpifjen me të cilën duan ta dezinformojnë opinionin publik dhe ta dëmtojnë personalitetin tim me akuza të paqena për nepotizëm.
E turpshme lehtësia për të nxjerrur shpifje të tilla kaq të ulëta; gjithsesi të përsëritura. Prandaj, për këtë shpifje të gazetës “Insajderi.org” do t’i drejtohet KMSHK-së dhe do ndërrmarë hapa të mëtutjeshëm”, përfundon Bajqinovci.


